Zërat për një transferim të mundshëm të Robin Van Persit drejt Barcelonës gjatë merkatos së verës janë shtuar pasi sulmuesi holandez i Arsenalit është parë mbrëmë në të njëjtin vend ku aktualisht gjendet skuadra katalanase.
Pak orë pasi Arsenali u mund nga Uigani me rezultatin 2-1, sulmuesi i “topçinjve” u pa të vizitonte hotelin “Marriot” në Londër, ku po qëndron Barcelona.
Holandezi u fotografua ndërsa po bisedonte me bashkëkombësin e tij, Ibrahim Afellai, i cili është pjesë e skuadrës katalanase në udhëtimin e saj drejt Londrës ku do të luajë kundër Çelsit.
Ai mund të ketë përdorur këtë vizitë edhe për të takuar mikun e tij të ngushtë, Çesk Fabregas, i cili u largua nga Arsenali vetëm një vit më parë.
Van Persi ka edhe një vit kontratë të mbetur me Arsenalin dhe mediat angleze e kanë interpretuar këtë vizitë si një sinjal të qartë se ku dëshiron ta shohë veten lojtari në sezonin e ardhshëm.
Arsen Venger ka bërë të ditur se nuk do ta shesë lojtarin, edhe nëse holandezi do të vendosë të largohet me parametër zero në verën e vitit 2013. Por raportet e mira mes Arsenalit dhe Barcelonës, të kurorëzuara me kalimin e lojtarëve të ndryshëm gjatë këtyre viteve si Henri, Fabregas apo edhe Hleb, mund ta bëjë trajnerin francez të ndryshojë mendje. (LajmeShqip.com)