Robin Van Persin e tërheq ideja që një ditë të luajë më Realin e Madridit. Futbollisti holandez e ka pranuar këtë për gazetën spanjolle “Marca”, por duke theksuar se do të ishte e pamundur ta shkëputnin tani nga Arsenali.
“Më kënaq të mësoj për interesimin e një klubi kaq të rëndësishëm si Reali i Madridit. Është e qartë që më tërheq shumë ideja që të luaj aty. Por nuk besoj se Arsenali do të pranojë të negociojë shitjen”, ishte komenti i holandezit për “Marca”.
Gjithsesi, gazeta spanjolle, e cila është mjaft e afërt me klubin e kryeqytetit spanjoll, ka bërë të qartë se madrilenët janë të gatshëm të ulen menjëherë në bisedime me Arsenalin.
Por 28 vjeçari është prej kohësh edhe në orbitën e Barcelonës, duke hapur kësisoj një duel të ndezur edhe përsa i përket merkatos mes dy klubeve spanjolle.
Arsenali nuk dëshiron shkëmbime, por vetëm para dhe nuk do ta lëshojë lehtë futbollistin, i cili vlerësohet rreth 40 milionë euro. Lojtari ka shënuar 22 gola aktualisht në kampionat dhe nëse vazhdon me këto ritme, mund të thyejë çdo rekord si për “topçinjtë”, ashtu edhe për futbollin anglez.
Kontrata e futbollistit mbaron në vitin 2013 dhe kjo do të ishte mundësia e tij e fundit për të firmosur një kontratë të rëndësishme, duke kërkuar një klub që i garanton fitoren e trofeve kombëtarë dhe ndërkombëtarë. (LajmeShqip.com)