Horge Valdano, një nga legjendat e Real Madrid, ka folur për titullin e 32-të të kësaj skuadre si dhe për rivalitetin e ndezur në kampionatin spanjoll. Por ish-lojtari, trajneri dhe drejtori sportiv i madrilenëve, ka çuditur të gjithë duke shprehur hapur preferencën tij kundrejt lojës së Barcelonës në krahasim me Real Madrid.
“Ka njerëz të cilëve më raste nuk i pëlqen futbolli retorik i Barcelonës, por unë nuk kam parë kurrë më parë ekip që të ketë kaq teknikë kolektive të aftë të dominojë ndeshjet në një mënyrë kaq të ndjeshme, me një vazhdimësi që zgjat disa sezone. Nuk e kam parë asnjëherë më parë këtë gjë”.
Sipas tij, tani Barcelona do të hyjë në një rrugë të re dhe do të ketë shumë pasiguri për shkak të largimit të Pep Guardiolës, një personi që ka ndikuar shumë te ky klub.
“Ky person është kthyer në një referent futbollistik dhe moral të barcelonizmit. Fjala e Guardiolës vlen më shumë se fjala e Mesit, apo e Sandro Rosell, që është presidenti i klubit. Është i pabesueshëm impakti që ka personaliteti i Pep Guardiolës te Barça dhe ai është një trajner që ka patur preferenca ndaj gjërave të mëdha. Tani të shohim nëse Vilanova do të arrijë të transmetojë gjërat me të njëjtën mënyrë si ai”, tha Valdano.
Nuk mund të mungonte komenti “teknik” mbi personin që e largoi nga Real Madrid, Zhoze Murinjon, i cili përplasej shumë shpesh me drejtorin sportiv kur ky i fundit ishte pjesë e madrilenëve. Por në të kundërt nga sa pritej, Valdano e ka lavdëruar portugezin për aftësitë e tij.
“Bëhet fjalë për një trajner shumë kompetent, i cili menaxhon shumë variante të lojës dhe është në gjendje të menaxhojë emocionet e yjeve të mëdha që ka në përbërje Real Madrid. Murinjo vendos një nivel të lartë kërkueshmërie dhe kjo i ka dhënë Madridit një shpirt konkurrence gjatë të gjithë sezonit”. (LajmeShqip.com)