Uruguai dhe Argjentina do të kërkojnë në Kongresin e ardhshëm të FIFA-s me 25 maj, që t’u jepet e drejta e organizimit të Botërorit 2030, kur festohet 100 vjetori i aktivitetit të parë të organizuar dhe fituar nga uruguaianët përballë argjentinasve.
“Kemi mbështetjen e plotë të qeverisë uruguaiane dhe presidentit të FIFA-s, Sep Blater, i pëlqeu shumë iniciativa jonë”, deklaroi president i Federatës Uruguaiane të Futbollit, Sebastian Bauza.
Drejtuesit e kësaj federate u takuan dhe diskutuan me homologët argjentinas gjatë kongresit të Conmebol, Konfederatës Amerikano-Jugore të Futbollit. Më pas të dy palët patën takime me qeveritë përkatëse për të shtjelluar më tepër idetë.
“Duhet të planifikohen shumë gjëra për këtë ngjarje të rrallë, ndaj duhet që të marrim të drejtën për aktivitetin më shpejt se zakonisht”, deklaroi Bauza.
“Deri tani nuk ka patur asnjë shtet tjetër të interesuar për organizmin e Kupës së Botës në 2030 dhe ne duam të kemi këtë nder pasi jemi organizatorët e aktivitetit të parë”.
Një nga prioritetet është padyshim modernizmi i stadiumit legjendar “Centenario” të Montevideos, arena ku u zhvillua finalja e Kupës së Botës në vitin 1930, i cilësuar si Monument i Futbollit Botëror nga FIFA. (LajmeShqip.com)