Euro 2012 po afron dhe Ukraina ka treguar se po merr masa shumë të rrepta për sigurinë e pjesëmarrësve në këtë aktivitet që po organizon në bashkëpunim me Poloninë.
Për të monitoruar hapësirën ajrore gjatë këtij aktiviteti, në mënyrë që të evitohet ndonjë surprizë e pakëndshme, Ukraina do të përdorë 28 avionë dhe 18 helikopterë ushtarakë.
Lajmin e bën të ditur vetë gjenerali i lartë Viktor Hamora, nënkomandant i personelit të aeronautikës ushtarake të ish-republikës sovjetike.
“Do të përdorim 28 avionë ushtarakë Mig-29 dhe Su-27, 18 helikopterë Mi-8 dhe Mi-24, së bashku me më shumë se 3000 ushtarë”, ka treguar ai për agjencinë e lajmeve “Interfax”.
Në muajin shkurt, Hamora kishte bërë të qartë se gjatë gjithë kohëzgjatjes së aktivitetit që fillon me 8 qershor dhe mbyllet me 1 korrik, në ajër do të kishte gjithmonë katër avionë ushtarakë dhe dy helikopterë ushtarakë. Në këtë mënyrë, për rreth një muaj, forcat e aeronautikës ushtarake në Ukrainë do të jenë në gjendje alarmi si në situatë lufte. (LajmeShqip.com)