Emri i Uejn Runit është në listën e kombëtares së futbollit të Britanisë së Madhe që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpikë Londër 2012, ndonëse trajneri Stjuart Pirs kishte premtuar se asnjë futbollist nuk do të merrte pjesë njëkohësisht në këtë aktivitet dhe në Euro 2012.
Ky vendim ka tërbuar Aleks Ferguson, i cili ka mësuar se ka 10 lojtarë të ekipit në listën paraprake të hartuar nga Pirs për aktivitetin që zhvillohet në fundin e kësaj vere dhe që përfundon vetëm 7 ditë para fillimit të sezoni të ardhshëm futbollistik në Angli.
Pirs, javën e kaluar shkurtoi listën e tij paraprake nga 191 lojtarë në 80, e mes këtyre emrave janë 10 futbollistë të Mançester Juanjtid: Uejn Runi, Rajan Gigs, Eshli Jang, Ben Amos, Tom Klivërli, Deni Uellbek, Fil Xhons, Kris Smalling, Majkëll Kerrik dhe Xhoni Evans.
“Kjo është qesharake, nuk e di se sa lojtarë do të humbin klubet e tjera por jam i sigurt se edhe Totenhemi do të humbë disa, ashtu si edhe Aston Vila që ka shumë lojtarë të rinj. Ne kishim rënë dakord që asnjë lojtar që luante në Euro 2012 të mos grumbullohej në kombëtaren olimpike”.
“Unë kam 10 lojtarë që mund të largohen ndërsa De Gea dhe Hernandez janë gjithashtu me kombëtaret e tyre. Kjo është një çështje shumë serioze pasi po flasim për fillimin e sezonit. Do të mbetem me vetëm një portier pasi Amos dhe De Gea do të jenë në këtë aktivitet. Ndërkohe, Federata Angleze mund të kërkojë nga ne edhe 5 lojtar të ekipit u-19 për pjesëmarrjen në Evropian. Ky është kaos”, ishte komenti i ashpër i Ferguson, i cili shpreson që lojtarë e tij të refuzojnë ftesën për në Olimpiadë.
“Nuk kam juridiksion për të bërë asgjë, pasi është në dorën e lojtarëve. Nëse ata nuk duan të marrin pjesë, kombëtarja e Britanisë së Madhe nuk mund të bëjë asgjë”. (LajmeShqip.com)