UEFA Champions League hap sonte në mbrëmje siparin e ndeshjeve të para në grupe për një tjetër sezon ku të mëdhenjtë e kontinentit do të kërkojnë të zbresin nga froni Barcelonën kampione. Nënkampionët në fuqi të Juventusit duhet të bëjnë llogaritë me Manchester City-n që këtë sezon në 5 ndeshje të Premier League numëron po kaq fitore dhe për më tepër nuk ka pësuar ende asnjë gol.
Në krahun tjetër, bardhezinjtë kanë bërë një start katastrofik me vetëm një pikë në tre ndeshjet e para për shkak të ndryshimeve të mëdha në grupin e Allegrit pas largimit të Tevez, Pirlos dhe Vidal.
Vetëm Pogba është shumë pak për t’u bërë ballë anglezëve në “Etihad Stadium” edhe pse Pellegrini nuk do të ketë në dispozicion Sergio Agueron. Në përballjen tjetër të grupit D, Sevilla synon të marrë tre pikëshin e parë në “Sanchez Pizjuan” ku do të presë Borussia Moenchengladbach në krizë të thellë pasi gjatë këtij sezoni nuk ka arritur të marrë ende asnjë pikë në kampionat.
Në Grupin A, Reali i Madridit pret në “Santiago Bernabeu” Shakhtar Donetsk për një test të lehtë në letër me Cristiano Ronaldon që këtë sezon kërkon ta tërheqë skuadrën sa më lart në Europë.
Ukrainasit vijnë në këtë sfidë me një fytyrë nbdryshe nga sezonet e shkuara për shkak të shumë largimeve në merkaton e verës, mes të cilëve Luiz Adriano dhe Douglas Costa. Po në këtë grup, Paris Saint Germain sfidon Malmoen në “Parc De Princes” për një 90 minutësh që parashikohet i lehtë për skuadrën e Laurent Blanc.
Në Grupin C, Manchester United udhëton drejt Eindhovenit ku do të kërkojë fitoren e parë për të hedhur një hap drejt fazës tjetër, ndërsa Wolfsburg dhe CSKA Moscow është një tjetër sfidë interesante ku gjermanët synojnë të mos bëjnë hapa falsë përballë rusëve që në play off eleminuan Sportingun e Lisbonës.
4 ndeshjet e fundit të së martës janë ato të grupit C ku Benfica pret në “Da Luz” debutuesit e Astanas, ndërsa Galatasaray dhe Atletico Madrid do të zbresin në fushën e stadiumit “Ali Sami Jen” për një përballje luksi.