Ish-mbrojtësi Karlo Gervasoni, është kthyer në një nga personazhet kyç të historisë së trukimit të ndeshjeve, pasi gjatë dëshmisë së radhës ka treguar detaje të tjera të hollësishme rreth mënyrës se si manipuloheshin ndeshjet në Serinë A.
Sipas tij, “cigani” Almir Gegiç, investoi 400 mijë euro për të trukuar ndeshjen Leçe-Lacio të majit 2011 dhe se në këtë marrëveshje ishin përfshirë lojtarë të të dy skuadrave. “U janë dhënë para 2-3 lojtarëve të Lacios dhe 3-4 lojtarëve të Leçes”, ka deklaruar ai. Si për të përforcuar mendimin e tij, ka treguar se Hristjan Ilievski, shefi i “ciganëve”, i ka shfaqur një fotografi që kishte bërë me lojtarin e Lacios, Stefano Mauri, personi që organizoi manipulimin në skuadrën kryeqytetase.
Më pas ai ka treguar për ndeshje dhe emra të tjerë për 42 takime të kategorive të ndryshme, ku bie në sy manipulimi ndeshjes Kievo-Udineze të 15 majit 2011.
Ndërkohë, një nga deklaratat më të bujshme është akuza që ka bërë për skuadrën e Sienës, ku sipas asaj që kishte mësuar mbrojtësi nga “ciganët”, presidenti i klubit kishte blerë dy futbollistë kundërshtarë për të trukuar ndeshjen Modena-Siena të shkurtit 2011. Të dhënat për këtë ndeshje ishin aq të sigurta, sa ishin konfirmuar edhe nga një mik i Gervasonit në Kazakistan.
Seancat dëgjimore të personazheve të përfshira në trukimin e ndeshjeve vazhdojnë, ndërsa pritet të mësohet dhe deponimi i mesfushorit kosovar Rijat Shala, i cili përmendet si një nga protagonistët e trukimit të ndeshjes së Kupës së Italisë, Kievo-Novara. (LajmeShqip.com)