Policia italiane ka realizuar dy arrestime të tjera në orët e para të mëngjesit në vazhdë të operacionit “Last Bet” për trukimin e ndeshjeve të futbollit.
Në pranga ka përfunduar portieri i Piaçencës, Mario Casano, i cili sipas Prokurorisë së Kremonës që heton çështjen, akuzohet për manipulimin e 4 ndeshjeve të kësaj skuadre. Më e përfolura është padyshim ajo e sezonit të kaluar kundër Atalantës ku në bashkëpunim me sulmuesin kundërshtar Kristiano Doni, ai kishte përcaktuar edhe nga cili krah do të hidhej kur kundërshtari do të gjuante 11-metërshin.
Në burg ka përfunduar edhe Anxhelo Iakoveli, infermier dhe person i afërt me ambientin e klubit të Barit. Ai ka qenë i përfshirë në tentativën për manipulim të katër ndeshjeve të Serisë A në sezonin e kaluar: Milan-Bari, Bari-Sampdoria, Bari-Roma dhe Palermo-Bari. Sipas policisë italiane, ai ka lidhje me klanet mafioze të qytetit të Barit dhe ka përdorur këta të fundit për të kërcënuar lojtarët në mënyrë që të arrihej rezultati i kërkuar. (LajmeShqip.com)