Nëse Aitor Karanka, ndihmësi i Murinjos, është munduar të minimizojë në maksimum vlerat e Pep Guardiolës duke deklaruar se kampionati spanjoll do të vazhdonte normalisht edhe pa të, nuk janë të të njëjtit mendim trajnerët e tjerë në Spanjë.
Diego Simeone, trajneri i Atletiko Madrid, e ka cilësuar Barcelonën e Guardiolës si ekipin më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa ia ka dhënë të gjitha meritat teknikut katalanas.
“Ndjej admirim për atë që ka bërë. Ai është një trajneri i ri me një histori të rëndësishme dhe ka merituar plotësisht atë që ka bërë të Barcelona, pasi jam thuajse i sigurt që është ekipi më i mirë që kemi parë në historinë e futbollit”.
I të njëjtit opinion është edhe Unai Emeri, trajneri i Valencias, i cili e ka vlerësuar si një “mësues” Guardiolën për të rejat që ka sjellë në futboll. “Na ka mësuar në këto katër vite një dimension tjetër të lojës së futbollit. Ai ka patur një vlerë të jashtëzakonshme edhe për vendimin për t’u larguar në këtë pikë. Të gjitha këto janë pjesë e Guardiolës dhe trashëgimisë që ka lënë”.
Në fund ka folur edhe Marselo Bielsa, një nga trajnerët që Guardiola vlerëson më shumë në skenën e futbollit botëror.
“Ky ishte një vendim personal, por largimi i tij është një humbje madhore pasi vetëm prania e tij i jepte një shkëlqim tjetër këtij sporti. Ajo që ka bërë është paharrueshme, ndaj e cilësoj një humbje”, tha tekniku i Atletiko Bilbaos, i cili do të ketë “fatin” të vihet përballë Guardiolës në ndeshjen e tij të fundit në pankinën e Barcelonës, në finalen e “Kupës së Mbretit”. (LajmeShqip.com)