Fernando Torres është zgjuar nga gjumi i tij letargjik duke dhënë sinjalet e një kthimi në pikën vendimtare të sezonit, pasi ka shënuar dy gola në takimin kundër Rubin Kazan në Europa League. Sulmuesi spanjoll ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës në fitoren 3-1 të londinezëve që i afrohen më shumë gjysmëfinaleve të këtij turneu, edhe pse në ndeshjen e kthimit në Rusi duhet të tregohen shumë të vëmendshëm.
Nuk ka qenë një ditë e mirë për dy ekipet e tjera angleze. Njukasëll është dorëzuar pa shumë pretendime me rezultatin 3-1 në Portugali përballë Benfikës vendase, ndonëse ka shënuar vetë golin e parë me anë të Cise. Rodrigo në pjesën e parë dhe Lima e Kardozo në pjesën e dytë kanë realizuar përmbysjen për portugezët.
Edhe më e komplikuar është situata e Totenhem, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 në fushën e vet përballë Bazelit. Zviceranët janë konfirmuar si një surprizë mjaft e këndshme e turneut, duke shënuar me Stoker e Ferei në pejsën e parë, ndonëse nuk kanë arritur ta ruajnë këtë avantazh, pasi golat e Adebajor dhe Sigurdson kanë rivendosur barazpeshën në shifra. Megjithatë, Bazeli mbetet favorit për të kaluar turin, falë rregullit të golit jashtë fushe.
Lorik Cana ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Lacion, në takimin e luajtur në Stamboll ndaj Fenerbahçes. Por futbollisti i përfaqësueses shqiptare, që në këtë sfidë ka luajtur në qendër të mbrojtjes, nuk ka arritur dot të evitojë humbjen 2-0 të skuadrës së tij përballë ekipit turk. Fajtor për këtë rezultat është mesfushori nigerian Onazi, i cili u ndëshkua me karton të kuq në fillimin e pjesës së dytë për faulle mëse të evitueshëm, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë. Nga kjo përfitoi Fenerbahçe që më pas shënoi dy golat falë penalltisë së Uebo dhe nuhatjes para porte të Kajt. (LajmeShqip.com)
Europa League
Çerekfinalet / Rezultatet
Çelsi-Rubin Kazan 3-1
16’, 70’ Torres, 32’ Moses / 41’ (p) Natço
Totenhem-Bazel 2-2
40’ Adebajor, 58’ Sigurdson / 30’ Stoker, 34’ Frei
Fenerbahçe-Lacio 2-0
78’ (p) Uebo, 90’+1’ Kajt
Benfika-Njukasëll 3-1
25’ Rodrigo, 65’ Lima, 71’ (p) Kardozo / 13’ Cise