Klubi i basketbollit “SigalPrishtina” kishte udhëtuar drejt Kumanovës për të zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare në basketboll pa përkrahjen e tifo-grupit “Plisat”. Por, në mungesë të tyre, prishtinasit ishin përkujdesur t’i përkrahnin një grup i konsiderueshëm i tifozëve nga Kumanova, “Ilirët”. Kanë mjaftuar vetëm disa brohoritje tyre, në mbështetje të skuadrës kosovare, Sigal Prishtina, që më pas rreth 3500 tifozë maqedonas ta shprehin mllefin e tyre kundër shqiptarëve me brohoritjet e tyre nacionaliste si: “Shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta dinë shqiptarët e shkretë se emri i Maqedonisë nuk do të shuhet”, etj.
Këto fyerje ndaj shqiptarëve janë dëgjuar në çerekun e dytë dhe të katërt. Ndërsa, kur kishin mbetur edhe vetëm tre minuta para përfundimit të lojës, forcat e rendit larguan nga tribuna grupin e vogël prej 25-30 vetave që ishin të pranishëm me qëllim që të evitohet çdo lloj incidenti i mundshëm, raporton gazeta Lajmpress.