Situata te Roma ka marrë një kthesë aspak të këndshme pasi ekipi është kontestuar ashpër para, gjatë dhe pas ndeshjes kundër Napolit të përfunduar me rezultatin 2-2. Tifozët e ekipit kryeqytetas nuk pajtohen me rezultatet e skuadrës e për më tepër kanë kërkuar publikisht largimin e trajnerit Luis Enrike.
Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët kanë kërkuar sqarime nga kapiteni Toti për këtë situatë të krijuar dhe ky i fundit është detyruar që për disa minuta të ndalej poshtë tribunës për të qetësuar tifozët të cilët kërkonin të dinin arsyen e vërtetë të kësaj rënie në formë të skuadrës.
Edhe trajneri spanjoll Luis Enrike ka pranuar se shumë shpejt mund të detyrohet t’i japë lamtumirën ekipit, i gjendur përballë kësaj situate shumë të komplikuar.
“E ardhmja e Romës tani është ndeshja e radhës me Kievon, por është e sigurt që deri në fundin e sezonit do të jem unë i ulur këtu në stol. Pastaj do të flas me klubin dhe do të shohim cilat janë problemet dhe zgjidhjet”, tha ai.
Vetë kapiteni Toti ka preferuar që të mos e komentojë këtë episod, ndërsa mbetet i vetmi futbollist që nuk është kontestuar asnjëherë nga tifozeria e skuadrës verdhekuqe. (LajmeShqip.com)