Interi mund të vendosë të mos respektojë kampionatin në ndeshjen e të dielës në darkë kundër Milanit. Zikaltërit duket se nuk luftojnë më për asnjë objektiv këtë sezon dhe për fatin e tyre të keq, mund të jenë vendimtarë në luftën për titull, duke favorizuar kushërinjtë e urryer të Milanit, apo armiqtë e përbetuar të Juventus.
Pikërisht ky fakt ka bërë që tifozët të hedhin idenë që e keqja më e vogël në këtë rast është një fitore e Milanit, pasi kurrsesi nuk mund ta pranojnë faktin që të ndihmojnë Juventusin. Një gjë të tillë ata ia kanë kërkuar skuadrës nëpërmjet forumeve të ndryshme, duke u kërkuar lojtarëve që të neglizhojnë në derbin e fundjavës.
“Në një sezon pa trofe, kënaqësia jonë më e madhe do të ishte të shihnim Juventusin duke humbur titullin në javët e fundit. A ju kujtohet 5 maji?”, ka qenë thirrja e një grupi tifozësh.
Ndërkohë, presidenti Morati është edhe më i mërzitur me këtë situatë që nuk do e dëshironte kurrë. “Këtë vit do ia bëjmë një nder o njërës skuadër, o tjetrës. Por për mua nuk përbën asnjë ndryshim se cilës”, ishin fjalët e presidentit, duke lënë kësisoj gjithçka në dorë të skuadrës. Situata e krijuar, mund të sjellë që ky të bëhet një nga derbit me më pak interes të të gjitha kohëve, i shoqëruar me një stadium gjysmë të boshatisur dhe pa tifozerinë e zakonshme të ndeshjeve të tilla. (LajmeShqip.com)