Një gol i Daniel Stërrixh ka shpëtuar Çelsin duke e mbajtur ende në Kupën FA, ndërsa Birmingemi ndali skuadrën e drejtuar nga Andre Vijas-Boas në një barazim 1-1 në “Stemford Brixh”.
Fillimi i ndeshjes ishte shkatërrimtar për londinezët të cilët pësuan gol që në minutat e para kur Devid Mërfi kaloi në avantazh skuadrën mike.
Nga kjo situatë, përfituan tifozët e Birmingem të cilët nuk reshtën së talluri Andre Vijas-Boas me këngën “Do të shkarkojnë nga puna në mëngjes”.
Aktivizimi në pjesën e dytë i Didier Drogba dhe Fernando Torres, e bëri disi më kërkuese skuadrën e Çelsit, ndërsa Stërrixh shënoi golin e barazimit.
Edhe pse londinezët iu afruan disa herë golit të fitores, ata nuk e gjetën atë e si rrjedhojë do të jenë të detyruar të kërkojnë kualifikimin në përsëritjen e takimit që do të luhet në “St. Endrius”. (LajmeShqip.com)