Trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabela, ka thënë se ai nuk do ta grumbullojë Karlos Tevez derisa ky i fundit të sigurojë një vend në skuadër te Mançester Siti.
Sulmuesi nuk ka arritur të bëhet pjesë e ekipit kombëtar që prej Kupës së Amerikës Latine ku ai u shfaq në një formë të dobët dhe për më tepër humbi penalltinë vendimtare në çerekfinale kundër Uruguait.
Tevez u kthye në Angli dy ditë më parë, duke mbyllur “eksodin” që e pa atë të largohej drejt Buenos Aires 4 muaj më parë. Por Sabela është i sigurt se gjithçka do të jetë shumë më e vështirë për të, duke parë se i mungon futbolli i luajtur prej shumë kohësh.
“Nëse Tevez nuk luan, do ta ketë të vështirë, pasi i mungon konkurrenca. Sa më shpejt të fillojë të aktivizohet, aq më mirë”.
“Unë grumbullova Maksi Rodrigez pasi ai është i shkathët dhe ka aftësinë të dalë përpara. Ai nuk luan çdo ndeshje në Evropë, por na jep më shumë mundësi në sulm. Atij nuk i duhet që të luajë në çdo ndeshje, thjesht të jetë një opsion taktik. Për të njëjtën arsye, Tevez nuk ka pse të luajë çdo ndeshje, por qëndrimi në fushën e lojës i jep më shumë shanse për t’u kthyer te kombëtarja”, tregoi Sabela. (LajmeShqip.com)