Xhon Terri po planifikon që të braktisë kombëtaren angleze pas përfundimit të Euro 2012. Ish-kapiteni i “3 luanëve” është zemëruar me faktin se atij i është hequr përsëri shiriti i kapitenit dhe për këtë arsye, po mendon që turneu i verës do të jetë i fundit për të.
Pas problemeve të vazhdueshme që kanë lindur për shkak të sjelljeve moralisht të dënueshme të futbollistëve të kombëtares, Federata Angleze ka vendosur që të hartojë pas Euro 2012 një Kod Etike me dënime të qarta për çdo shkelje. Por një gjë e tillë duket se nuk do të prekë Terrin, i cili e ka marrë vendimin e tij.
Sipas “Sunday Mirror”, lojtari ka patur një telefonatë të gjatë me trajnerin e Anglisë, Fabio Kapelo gjatë ditës së premte dhe aty ka vendosur që të mos braktisë menjëherë përfaqësuesen. Ndërkohë, tekniku italian pritet të emërojë Stiven Xherard si kapitenin e ardhshëm të përfaqësueses. Futbollisti i Liverpulit është padyshim figura më “e pastër” e një kombëtareje ku problemet jashtë fushë kanë bërë më tepër bujë se sukseset brenda katërkëndorit të gjelbër.
Mediat angleze kanë bërë të ditur se tashmë Kapelo nuk komunikon më me drejtuesit e Federatës Angleze të cilët as nuk morën mundimin për t’u konsultuar me të rreth çështjes “Terri”. (LajmeShqip.com)