Triumfin e Majlinda Kelmendit në Kampionatin botëror të xhudos, trajneri Driton Kuka, e ka vlerësuar si suksesin më të madh në historinë e sportit të Kosovës. Kurse, pejania thotë se suksesi i saj është edhe i Kosovës.
Triumfi i Majlinda Kelmendit në Kampionatin botëror të xhudos, i cili është duke u mbajtur në Rio de Janeiro, ka gëzuar tej mase trajnerin Driton Kuka.
Strategu pejan, medaljen e artë të xhudistet kosovare, e vlerëson si suksesin më të madh të arritur ndonjëherë në historinë e sportit të Kosovës.
“Ky është suksesi më i madh i arritur në histori të sportit kosovar. Kosova tash ka një Kampion bote, dhe për këtë më është realizuar ëndrra. Majlinda ka pasur kundërshtarë të vështirë, por ajo ka shkëlqyer në të gjitha luftërat”, ka deklaruar Kuka.
Ndërsa, Kelmendi është shumë e lumtur që ka arritur të bëhet Kampione e botës, në kategorinë deri në 52 kilogram.
“Pas këtij triumfi jam shumë e lumtur, pasi nuk kam pritur se do të jam këtu ku jam sot. Kam pritur se do të fitoj medalje, por nuk isha aq e sigurt se do ta fitoj medaljen e artë”, ka deklaruar ajo.
Pejania, e cila pas këtij suksesi pritet të shpërblehet nga shteti me 40 mijë euro, thotë se suksesi i saj është edhe i Kosovës
”Është moment i veçantë i karrierës sime, por mendoj edhe për Kosovën në përgjithësi. Kam dëshmuar se edhe te ne ka sportistë cilësor, të cilët mund të bëhen kampion bote”, vazhdoi Kelmendi.
Për të arritur deri në finale, Majlinda ka zhvilluar katër lufta. Ajo në finale të kësaj gare ka mposhtur xhudisten nga Brazili, Erika Miranda.
Ndërsa, sot në kategorinë deri në 57 kilogram do të garoj edhe xhudisja tjetër nga Kosova, Nora Gjakova. Edhe kjo e fundit llogaritet si favorite për të fituar medalje në këtë kategori.
Xherdan Shaqiri uron Majlindën
Xherdan Shaqiri, i cili po shkëlqen në fushën e blertë me skuadrën e Bayern Munchenit, i është gëzuar triumfit të Majlinda Kelmendit, në Kampionatin botëror të xhudos, i cili po mbahet në Brazil.
“Shumë Urime Majlinda, ma e mira në botë. Jemi shumë krenar me ty edhe Kosovën”, ka shkruar mesfushori kosovar në profilin e tij zyrtarë në Facebook.
Kelmendi, të martën mbrëma ka arritur të bëhet Kampione e botës në xhudo, në kategorinë deri në 52 kilogram.
Ndërsa, kosovari me pasaportë zvicerane, edhe pse mbron ngjyrat e Zvicrës, asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen./Express/