Spanja vazhdon në rrugën e saj drejt mbrojtjes së titullit të Kampiones së Evropës pasi ka mundur në çerekfinale me rezultatin 2-0 ekipin e Francës. Në një ndeshje pa shumë emocione, diferencën e ka bërë eksperienca e spanjollëve, të cilët kanë goditur në momentin e duhur dhe më pas kanë administruar me qetësi rezultatin.
Del Boske hodhi në fushë përsëri formacionin pa sulmues, duke iu kthyer rreshtimit të kritikuar të ndeshjes së parë me Fabregas që luan si sulmues i fshehur. Por këtë radhë, skema funksionon pasi në minutën e 19-të, iberikët kalojnë në avantazh. Alba depërton nga e majta dhe pasi kalon Debushi, harkon në zonë saktësisht për Ksabi Alonson, i cili nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë pasi gjen në kundërkohë portierin Loris.
Pritet një reagim i Francës, po ai nuk vjen, edhe për faktin se Blank kishte ndërtuar një skemë tërësisht mbrojtëse, me Nasri e Menez të ulur në stol, ku vetëm Riberi e Benzema kishin leje të kalonin gjysmën e fushës. Kjo bën që ndeshja të kthehet në një festival pasimesh, pa raste nga të dy portat, ndonëse është gjithmonë Spanja që kërkon më shumë të sulmojë.
Në pjesën e dytë reagimi i francezëve vjen, por ata nuk janë në gjendje të gjuajnë në portë, ndonëse krijojnë më shumë volum loje. Blank hedh në lojë Nasri, Menez e Zhirud duke kërkuar të barazojë ndeshjen, por është Del Boske që gjen zëvendësimin e duhur, duke aktivizuar Pedro. Ky i fundit, në minutën e parë shtesë të takimit fiton një 11-metërsh, të cilin e transformon në gol Ksabi Alonso, dygolëshi i tij i parë me kombëtaren në ndeshjen e 100-të me fanellën e kësaj përfaqësuese.
Si rrjedhojë, Spanja shkon në gjysmëfinale ku do të ketë derbin iberik ndaj Portugalisë, një sfidë që është kthyer në një “klasike” të viteve të fundit dhe që premton shumë emocione për shkak të rivalitetit të ndezur mes këtyre dy kombëtareve. (LajmeShqip.com)
Çerekfinalet
R. Çeke-Portugali 0-1
79’ Kristiano Ronaldo
Gjermani-Greqi 4-2
39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis
Spanjë-Francë 2-0
19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso
24.06.2012
Angli-Itali 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Kiev
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45
28.06.2012
Gjermani-Angli/Itali 20:45