Spanja është finalistja e parë e Euro 2012, pasi ka mundur me 11-metërsha Portugalinë, në një sfidë të mbyllur pa gola mes ekipeve dhe ku të dy skuadrat kanë qenë shumë larg spektaklit që pritej nga një përplasje e tillë.
Ashtu siç pritej, ishte Spanja që kontrollonte më shumë topin, ndërsa te Portugalia, Kristiano Ronaldo, Nani dhe Almeida përbënin treshen ofensive me objektiv për të vënë në vështirësi mbrojtjen e spanjollëve. Por rezultati është thjesht një betejë në mesfushë, ku dy ekipet thuajse nuk shqetësojnë asnjëherë portat kundërshtare.
Për më tepër, aktivizimi i Negredo si sulmues i vetëm nuk është se dha rezultatin e duhur të spanjollët, me Del Bosken që kuptoi gabimin duke aktivizuar Fabregas në vend të tij në fillimin e pjesës së dytë. Por përsëri ritmi i lojës nuk ngihet dhe sfida vazhdon të jetë e tëra në mesfushë. Në minutën e 86-të të sfidës, ka hapësirë për Pedron dhe që nga ajo minutë fillojnë problemet për prapavijën e portugezëve pasi kombinimet e lojtarit të Barcelonës me Zhordi Albën e Iniestën sjellin rreziqe të njëpasnjëshme për portën e Rui Patricio.
Por konkretizimi vazhdon të lërë për të dëshiruar dhe si rrjedhojë, skuadrat shkojnë në kohët shtesë e më pas në lotarinë e penalltive, pasi as 30 minutat shtesë nuk shërbejnë për të përcaktuar një fitues të kësaj sfide.
Seria e penalltive fillon si mos me keq për spanjollët, pasi Rui Patricio grushton penalltinë gjuajtur nga specialisti Ksabi Alonso. Por pak sekonda më vonë, Kazijas rivendos qetësinë duke grushtuar penalltinë e Mutinjos. Më pas vijojnë realizimet e sakta të Iniesta (S), Pepe (P), Pike (S), Nani (P) e Serxho Ramos (S). Ndërkohë, gjuajtja e Bruno Alvesh ndalet nga traversa, ndërsa Fabregas godet pjesën e brendshme të shtyllës e topi përfundon në rrjetë, duke kaluar Spanjën në finale për të tretin turne radhazi, pas Euro 2008 dhe Botërorit 2010. (LajmeShqip.com)