Real Madrid ka mposhtur Juventusin me rezultatin 2-1. Golat u shënuan nga Cristiano Ronaldo (5’, 28 penallti) dhe LLorente për juven (22’).
Loja ka pasur një nivel mjaft të lartë me madrilenët dominues.
Miqtë që në minutën e 48 u detyruan të luanin me 10 lojtarë pasi Chellini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhe.
Sonte përballja Juventus-Real Madrid
Sonte zhvillohen ndeshjet e xhiros së tretë në kuadër të Ligës së Kampionëve, në grupet A, B , C dhe D. E gjithë vëmendja e futbolldashësve evropianë pritet të jetë e fokusuar në “Santiago Bernabeu”, tempulli ku do të zbarkojnë dy rivalët e vjetër europianë, Real Madrid dhe Juventus.
Shikuar statistikat, Reali ka bilanc pozitiv në shtëpi ndaj “zonjës së vjetër”, duke fituar katër nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara. Sidoqoftë, ndeshja e fundit në “Bernabeu” në mes të këtyre dy klubeve, e cila ishte zhvilluar në kuadër të fazës së grupeve të LK-ës më 11 nëntor 2008, kishte përfunduar 0:2 për italianët.
Real Madridi ende është duke u konsoliduar nën drejtimin e Ancelottit i cili mori drejtimin e klubit madirilien këtë verë, përderisa Juve ka një ekip mjaft mirë të komponuar dhe një trajner tashmë të dëshmuar.
“Ne duhet të kemi kujdes ndaj të gjithë lojtarëve të Juves. Ata kanë lojtarë me përvojë të madhe si Pirlo apo Buffon, por unë mendoj së gjëja më e rëndësishme është se ata funksionojnë si tërësi. Besoj se do të jetë një lojë e mirë dhe në fund shpresoj të fitojmë ne“, ka deklaruar qendërmbrojtësi i “los blancos”, Pepe.
Në anën tjetër, Juventusi ngadalë por sigurt është duke u ngritur përsëri në majat e futbollit botëror, aty ku ishte para Caciopolit. ”Bianconerët” kanë fituar dy tituj radhazi së fundmi në Serie A duke u bërë tashmë mjaft të rrezikshëm edhe në Europë.
“Kam shënuar dy herë në Bernabeu dhe është me të vërtet një stadium i mahnitshëm. Jam i lumtur që do të rikthehem përsëri aty. Mendoj se do të jetë një rast i mirë për të parë se ku jemi, pasi që Reali është me të vërtetë një klub i madh. Sidoqoftë ne besojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë sulmuesi spanjoll i Juves, Fernando Llorente. /zëri/ albeu/