Sulmuesi i Valencias, Roberto Soldado, ka qenë mjaft i nervozuar pas përfundimit të takimit mes skuadrës së tij dhe Barcelonës, duke akuzuar direkt drejtuesit e katalanasve se kanë ndikuar në vendimet e gjyqtarit Gonzalez. Ky i fundit nuk ndëshkoi me karton të kuq portierin Pinto i cili ndaloi topin me dorë jashtë zonës duke i mohuar Soldados një rast të pastër për gol.
“Kur flet presidenti ynë për gjyqtarët dhe ankohet për to, askush nuk e merr në konsideratë. Unë nuk do të çuditesha nëse fjalët e Rosell kanë influencuar që gjyqtari të mos ndëshkonte prekjen e topit me dorë. Ishte një veprim shumë i qartë dhe ndikoi direkt në rrjedhën e ndeshjes”.
“Gjyqtari ishte aty dhe nuk kishte kurajën të vërshëllente dhe të jepte një karton të kuq kaq herët në fillimin e ndeshjes. Kështu përfiton Barcelona”, ishte komenti i Soldado, duke iu referuar edhe fjalëve të presidentit të katalanasve, Sandro Rosell, i cili vetëm një ditë më parë deklaroi se gjyqtarët këtë sezon kishin dëmtuar vazhdimisht Barcelonën.
Vetë Pep Guardola bëri të qartë që ndeshja mund të kishte patur një fund tjetër nëse Pinto do të largohej me karton të kuq që në minutën e 18-të. “Më kanë thënë që e preku topin me dorë jashtë zonës. Nëse mbetesh me 10 lojtarë, sigurisht që kjo e ndryshon ndeshjen”, ishte komenti i Guardiolës rreth këtij episodi. (LajmeShqip.com)