Pol Skols ka pranuar se trajnimi as nuk i afrohet emocioneve të pjesëmarrjes në garën për titullin kampion me Mançester Junajtid. Mesfushori la pensionin për t’iu kthyer përsëri fushës, me rezultate mëse të mira pasi që nga janari, ekipi i tij është kthyer në formë dhe ka rimarrë vendin e parë në renditje falë sigurimit të 31 pikëve nga 33 të mundshme.
“Trajnimi ishte “OK” por as që i afrohet hyrjes në fushë”, tha 37 vjeçari për MUTV.
“Unë vazhdoja të vija çdo ditë në klub të shihja lojtarët e tjerë, e pranoj që ishte e vështirë të përshtatesha. Më mungonte shumë loja, deri për Krishtlindje, kur unë vendosa të takoja trajnerin”.
Me 10 tituj kampion të fituar gjatë karrierës së tij me Mançester Junajtid, Skols nuk është se ka nevojë për medalje të tjera. Megjithatë, ai duket si një lojtar në vitin e parë të karrierës kur flet rreth luftës për titull përballë rivalëve të Mançester Sitit.
“Dy muaj më parë, do të kishim bërë pakt me djallin për të qenë në këtë pozicion ku jemi tani. Por mbetet ende shumë punë për t;u bërë. Jemi përballë një ekipi shumë të fortë që është në gjendje të mundë këdo. Por me 5 pikët diferencë që kemi krijuar, duhet të mendojmë vetëm për veten”, tha ai. (LajmeShqip.com)