Edhe atëherë kur Skënderbeu duket në krizë, mendojnë kundërshtarët për t’ia lehtësuar gjërat dhe për t’i dhënë mundësinë korçarëve të mbeten pretendentë kryesorë për titullin kampion në Kategorinë Superiore.
Teuta që kryesonte renditjen është mundur në mënyrë të pabesueshme nga Laçi, në takimin që luhej në fushë asnjanëse, duke i lëshuar vendin e parë skuadrës korçare. Ndeshja është vendosur nga një gol i mesfushorit shkodran Vucaj në pjesën e dytë, mjaftueshëm që durrsakët t’i thonë për momentin lamtumirë ëndrrave të titullit që mbanin prej fundjavës.
Ka përfituar nga kjo situatë Skënderbeu, që është ngjitur përsëri një pikë sipër Teutës falë fitores së thjeshtë 2-1 përballë Vllaznisë, e cila nuk ka bërë rivalitet duke u paraqitur me formacionin e dytë në Korçë. Skuadra e drejtuar nga çeku Levi mbetet kësisoj pretendente kryesore për të rifituar titullin, duke përfituar edhe nga gafa e radhës e Tiranës.
Bardheblutë janë mundur në mënyrë të papritur nga Dinamo, në atë që mund të jetë derbi i fundit kryeqytetas për shumë kohë në elitën e futbollit shqiptar pas blutë janë të destinuar për të rënë nga kategoria. Ndeshja është vendosur në minutën e 90-të nga një penallti e Kulit.
Për t’u shënuar edhe humbja e Flamurtarit përballë Tomorit, që ka hapur si luftën për vendin e katërt, ashtu edhe atë për mbijetesën direkte në Kategorinë Superiore. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Laçi-Teuta 1-0
61’ Vucaj
Skënderbeu-Vllaznia 2-1
53’ Xhafaj, 58’ Plaku / 91’ Gjini
Tomori-Flamurtari 3-2
3’ K. Arbri, 26’ (p) Bakiu, 91’ Hysko / 31’, 43’ (p) Pejiç
Dinamo-Tirana 3-2
30’ Djarmati, 50’, 90’ (p) Kuli / 10’ Bala, 44’ Kalari
Shkumbini-Kastrioti 0-1
48’ Muçollari
Kamza-Pogradeci 2-1
16’ Cventanovski, 77’ Manuka / 81’ Çipi
Apolonia-Bylis 2-1
80’ Ribaj, 86’ Rama / 66’ Abazaj
Renditja
Skënderbeu 50, Teuta 49, Tirana 46, Flamurtari 39, Kastrioti 37, Vllaznia 30, Bylis 30, Laçi 30, Shkumbini 29, Tomori 26, Kamza 25, Pogradeci 18, Apolonia 17, Dinamo 13.