Skënderbeu ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion duke mundur 2-0 Tiranën në supersfidën e javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i kampionatit, ekipi korçar vazhdon të ruajë kreun, ndërsa ndiqet me një pikë diferencë nga Teuta, me Tiranën që ka zbritur tashmë në vendin e tretë.
Ndeshja e luajtur në Korçë ka dhuruar spektakël dhe ka merituar vëmendjen e jashtëzakonshme të tifozerisë të të dy ekipeve. Tirana ka qenë më kërkuese në pjesën e parë, ndërsa ka goditur edhe shtyllën me anë të Ahmatajt, por në fillimin e pjesës së dytë, fillimisht Xhafaj e më pas Allmuça, kanë shënuar në portën e mbrojtur nga Ilion Lika duke siguruar këtë sukses të rëndësishëm të kampionëve ne fuqi.
Në vendin e dytë në renditje është ngjitur Teuta e cila ka marrë një fitore minimale 1-0 përballë Dinamos falë goli të Jakupit. Durrsakët kanë një kalendar më të lehtë në letër në javët e fundit dhe shpresojnë të bëjnë mrekullinë për të marrë titullin kampion.
Për t’u shënuar është fitorja 2-1 e Tomorit përballë Kastriotit, ku tashmë ekipi beratas ka ringjallur shpresat për t’u larguar nga zona e ftohtë e renditjes dhe për të siguruar mbijetesën në Kategorinë Superiore pa bërë play-out. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Skënderbeu-Tirana 2-0
49’ Xhafaj, 62’ Allmuça
Dinamo-Teuta 0-1
45’ Jakupi
Apolonia-Flamurtari 1-3
39’ Ibrahim / 19’ Progni, 26’ Lena, 84’ Muça
Bylis-Vllaznia 1-0
13’ Izuçuku
Tomori-Kastrioti 2-1
68’ Bakiu, 82’ Çaushaj / 10’ Alikaj
Laçi-Pogradeci 2-0
42’ Doku, 53’ Hysa
Shkumbini-Kamza 3-1
9’, 39’ Diop, 31’ Mustafaj / 36’ Karapici
Renditja
Skënderbeu 47, Teuta 46, Tirana 43, Flamurtari 36, Kastrioti 31, Bylis 29, Shkumbini 29, Vllaznia 27, Laçi 27, Tomori 23, Kamza 19, Pogradeci 17, Apolonia 14, Dinamo 10.