Mançester Siti do të lërë të largohet boshnjakun Edin Xheko pasi ka gjetur zëvendësuesin e tij ideal, spanjollin Fernando Lorente. Sipas gazetës angleze “The Sun”, akordi mes klubit anglez dhe Atletik Bilbaos është arritur dhe lojtari pritet të transferohet në përfundimin e këtij sezoni.
Mançester Siti do të paguajë 30 milion paund për lojtarin, i cili pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me ekipin anglez, ndërsa do të përfitojë rreth 200 mijë paund në javë. 27 vjeçari shpërtheu këtë sezon me fanellën e Atletik Bilbaos duke shënuar 23 gola për ekipin spanjoll në të gjitha kompeticionet.
Ky afrim i ka hapur rrugën largimit përfundimtar te Edin Xhekos nga skuadra angleze, ndërsa për të pritet një kthim në kampionatin gjerman të futbollit.
Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund janë dy klubet më të interesuara për të siguruar shërbimet e tij, pasi 26 vjeçari nuk do ta refuzonte kthimin në një kampionat ku u bë i famshëm me golat e shënuar për Volfsburgun.
Bajerni ka bërë që tani gati një ofertë prej rreth 20 milion paund për lojtarin, i cili do të krijonte te bavarezët një repart të avancuar të frikshëm përkrah Gomez, Riberi, Roben e Myler.
Por edhe Dortmund nuk mbetet prapa, pasi mund të sigurojë një pjesë të parave që i nevojiten nga shitja e sulmuesit polak Levandovski, i cili pritet që vitin e ardhshëm të transferohet në kampionatin anglez. (LajmeShqip.com)