Nga gara e Anglisë, do të ketë ndryshime mekanike në makina, që kanë të bëjnë me aerodinamikën e difuzorëve. Shfryrja e ajrit të nxehtë, tashmë është e lidhur me fjalën e “ndaluar”. Një gjë e tillë do të hyjë në fuqi në këtë sezon, duke filluar nga Çmimi i Madh i Anglisë, garë që do të zhvillohet më 10 korrik.
Të paktën kjo është edhe një nga shpresat që kanë skuadra si Ferrari, për të ndalur disi vrullin e skuadrës kampione të botës, Red Bull.
Por çfarë ka vendosur dhe ka ndaluar më saktësisht FIA?
Bëhet fjalë për shfryrjen e ajrit të nxehtë në pjesën e poshtme të makinave, apo ndryshe në pjesën e difuzorëve, një ajër që del nga skapamentot. Makinat e këtij sezoni janë ndërtuar në atë mënyrë, që marmitat e nxjerrin ajër të nxehtë edhe kur piloti ka hequr këmbën nga gazi.
Motoristët kanë menduar që të mbajnë një ngarkesë aerodinamike konstante nëpërmjet kësaj gjetjeje, duke krijuar një fenomen të paparë ndonjëherë. Në praktikë injektorët sprucojnë karburant në formë pluhuri edhe në pjesën e fundit të skapamentove, të cilat nga nxehtësia e djegin, duke prodhuar gaz, i cili më pas shtyhet drejt difuzorëve, në pjesën e poshtme të makinës.
Përse kjo gjetje tashmë është e ndaluar?
Sepse motori i ndërtuar në këtë formë, shndërrohet në një pajisje aerodinamike të lëvizshme dhe një gjë e tillë është e ndaluar nga rregullorja.
Si mund të ndërhyjnë skuadrat tashmë?
Në radhë të parë, nuk është e vërtetë që u duhet të modifikojnë skapamentot dhe difuzorët. Do të jenë motoristët, që duhet të ndërhyjnë te sprucatorët, në atë mënyrë që të limitojnë deri në 10% shfryrjen e ajrit të nxehtë nga skapamentot në momentin kur makina është në regjime minimale. Si pasojë, difuzorët nuk do të humbasin efikasitetin e tyre, por ky efikasitet del në pah në momentin kur pilotët i japin gaz makinës.
Kush do të penalizohet më shumë nga ky modifikim?
Në mënyrë të veçantë bëhet fjalë për skuadrën, e cila përfitonte më shumë nga kjo zgjidhje mekanike, dhe skuadra që përfitonte më shumë, ishte Red Bull-i. Por edhe skuadra Renault, e cila mbi këtë koncept kishte ndërtuar makinën R31. Për të mos e humbur të gjithë efektin që jepte kjo zgjidhje, tashmë pilotëve u duhet që të luajnë edhe me gazin në momentin e frenimit, pra me pak fjalë, i shtohet puna pilotëve.
A ekziston rreziku për të kompromentuar besueshmërinë?
Ekziston, por rreziku është minimal. Një gjë të tillë e ka shpjeguar edhe vetë Adrian Njuej në pistën e Montekarlos. “Për sa i përket skuadrës Renault (që furnizon me motor edhe skuadrën Red Bull) kjo zgjidhje shërbente për të mbajtur sa më të ultë temperaturat e motorit dhe si rrjedhojë, lidhet me besueshmërinë. Edhe në të shkuarën është eksperimentuar një gjë e tillë. Pra mund të ketë probleme në momentin që piloti ka hequr këmbën nga gazi.” Por, nga ana tjetër, ka edhe një aspekt pozitiv, edhe pse Red Bull-i, duke reduktuar këtë shfryrje, ulet edhe konsumi gjë, që ka penalizuar shpesh ritmin e garës së Fetelit dhe Veberit.