Bëhet edhe më e nxehtë atmosfera në prag të takimit eliminator të Botërorit mes kombëtares shqiptare dhe asaj zviceriane, që luhet të Premten në Qemal Stafa. Grupimi më i madh i tifozëve shqiptarë, ai i tifozëve Kuqezi u është drejtuar lojtarëve shqiptarë të kombëtares helvete përmes një letre, konkretisht Shaqirit, Xhakës, Behramit, Xhemajlit, Mehmedit dhe Kasamit, që të bojkotojnë këtë takim për të respektuar vendin e origjinës dhe për t’i shpëtuar paragjykimit.
Sipas tifozëve kuqezinj, këta lojtarë do të quheshin tradhtarë nëse nuk japin maksimumin në fushë, por të tillë do të quheshin edhe nga bashkëkombasit e tyre, nëse ndëshkojnë kombëtaren shqiptare me gol.
Ja se çfarë shkruajnë tifozët kuqezinj:
“Letër e hapur lojtarëve me origjinë shqiptare që luajnë për Zvicrën në prag të ndeshjes së parafundit eliminatore , Shqipëri – Zvicër që luhet me 11 tetor 2013 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares Shqiptare i’u drejtohet futbollistëve me origjinë shqiptare që luajnë në përfaqësuesen helvete.
Futbollistëve: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Admir Mehmedi dhe Pajtim Kasami.
Jo rrallëherë për t’iu kundërvënë kritikave të shumta pse ju keni zgjedhur për të përfaqësuar një vend tjetër e jo vendin e origjinës, ju i jeni përgjigjur se e doni shumë Shqipërinë, se ndiheni shqiptarë, ashtu sikurse ndihen shumë familje shqiptare që emigruan për një mirëqënie më të mirë në vende të tjera.
Meqenëse keni rrënjë shqiptare dhe nuk ndiheni rehat të luani kundër Kombit të rrënjëve tuaja (ashtu siç edhe deklaroni nëpër media ), ju kërkojmë që të mos luani në ndeshjen kundër Shqipërisë në Tiranë.
Mendojmë se në këtë mënyrë do të jeni korrekt edhe me ngjyrat që prezantoni, pasi ata do t’ju kuptojnë. Nëse veproni ndryshe dhe nuk jeni në ditën e juaj më të mirë, atëherë ata (zviceranët) do t’ju quajnë “tradhtarë”.
Mirëpo, nëse eventualisht shënoni gol, atëherë bashkëkombasit tuaj (ne), të anës tjetër do t’ju quajmë po me të njëjtin emër. Besojmë shumë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjitha palët.
Ju kujtojmë se në një rast të tillë ish-lojtari i kombëtares polake të basketbollit, Dardan Berisha, nuk u paraqit fare në ndeshjet eliminatore që Polonia zhvilloi kundër Shqipërisë, sepse sipas tij, nuk mund të luante kundër vendit të tij.