Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbje me rezultat minimal 1:0 nga Sllovenia, në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2014, e cila u zhvillua sonte në Lubjanë.
Kuqezinjtë kanë bërë lojë të pëlqyer, duke krijuar një mori rastesh, por atyre ua ktheu fati shpinën. Në anën tjetër, sllovenët e konkretizuan rastin e vetëm që e patën me anë të Kevin Kampl, i cili shënoi një gol spektakolar në minutën e 19-të.
Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, ku munguan rastet nga ekipet. Ndërkaq, ekipi i Gianni De Biasit ka hyrë furishëm në pjesën e dytë duke i krijuar pesë raste të mira brenda 2-3 minutash, me Valdet Ramën (2), Lorik Canën, Hamdi Salihin e Migjen Bashën. Por, topi nuk përfundonte assesi në rrjetë, pasi i sigurt u tregua portieri vendës Samir Handanovic.
Shqipëria duhet ta harrojë sa më shpejt këtë humbje, pasi vetëm katër ditë më vonë do të luajë me Islandën, një tjetër ndeshje mjaft e rëndësishme, mos të themi vendimtare, për rrugëtimin drejt Brazilit.
Ndërkohë, Zvicra barazoi me Islandën në shtëpi, 4-4. Duhet cekur se një gol për Helvetikët e realizoi futbollisti shqiptar Blerim Xhemajli nga penalltia, në pjesën e dytë. Kurse, Norvegjia e mposhti Qipron, 2-0./Express/