Tiranë (PLOTËSUAR 12:18) – Gara e Kampionatit Botëror të Vrapit në Mal, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka filluar të dielën paradite nga Kopshti Botanik në Tiranë për të vazhduar më pas rreth Kodrave të liqenit artificial të kryeqytetit.
Rreth 300 atletë nga 35 shtete garojnë në katër kategoritë, gara për të rinj femra, gara për të rinj meshkuj, gara për të rritur femra, gara për të rritur meshkuj. Meshkujt e rritur do të garojnë 4.5 km në tre lartësi të ndryshme, femrat dhe djemtë e rinj në dy lartësi, ndërsa vajzat e reja vetëm në 1.
Në garën për meshkuj të rritur konkurojnë 131 atletë, në atë për femrat e rritura 63 prej tyrë, ndërsa për të rinjtë do të garojnë 70 djem dhe 51 vajza. Edicioni i 27 i Kampionatit Botëror të Vrapit në Mal, zhvillohet për herë të parë në Shqipëri me pjesëmarrës nga shtetet si Turqia, Ukraina, Italia, SHBA, Polonia, Rumania, Maqedonia, Gjermania, Rusia, Serbia, Hungaria, etj.
Nga vendi ynë marrin pjesë 12 sportistë, 4 femra dhe 8 meshkuj. Midis tyre është dhe rekordmenia e 800 metërshit, Luiza Gega, e cila mori pjesë në Kampionatin Botëror të Atlekës, në Daegu, ku edhe vendosi një rekord të ri kombëtar. Gjithashtu dhe sportistë si Renato Dorzi, Ilir Këllëlzi, Genc Lugja, Bledar Mesi, Pjetër Ndoj, Maringlen Faslli, Gëzim Propibaj, Arlind Subashi, ndërsa për femra janë dhe Klesta Gjyli, Klodiana Kalluci, Suela Peca.
Në vendin tonë do të zhvillohet gjithashtu dhe Kongresi Botëror i Federatës së Atletikës.
Sipas Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës Gjergji Ruli, ky aktivitet ka thyer edhe një rekord për sa i takon pjesëmarrjes më të madhe për të rinj dhe të rritur në 27 vjet të organizimit të aktivitetit.
Pas përfundimit të vrapin përreth Kodrave rë Liqenit do të shpallen tre fituesit e parë për të katërta kategoritë, ndërsa ceremonia e ndarjes së trofeve do të zhvillohet në qytetin e Durrësit. Atletët përmes kësaj gare do sjellin mesazhin e paqes dhe të miqësisë nga të pestë kontinentet.
Qindra sportistë që do të vrapojnë sot do të jenë më pas ambasadorë të paqes për Shqipërinë nga e gjithë bota.
Ceremonia e këtij eventi sportiv, i pari kampionat botëror që zhvillohet në vendin tonë, u zhvillua pasditen e djeshme në Pallatin e Kongreseve, në prani të Kryeminstrit Sali Berisha. Kreu i ekzekutivit e cilësoi këtë kampionat si një ngjarje të madhe për aportin shqiptar dhe turizmin malor.
“Çdo vit, numri i vizitorëve dhe turistëve që vijnë në malet tona po rritet dhe unë shpresoj që ky kampionat të shërbeje si një ftesë për turistët nga mbarë bota dhe nga vendet tuaja, për të ardhur dhe njohur këto male”, tha kryeministri Berisha.
Kjo është hera e parë që Shqipëria mirëpret një një aktivitete masiv vrapimi ndërkomëtar që shërben edhe për promovimin e turizmit malor në vendin tonë. Ky kampionat organizohet nga MTKRS dhe Federata Shqiptare e Atletikës, ndërkohë që edicioni i tij i kaluar është zhvilluar në Slloveni.
Kampionati i parë Botëror i Vrapimit në Mal është zhvilluar në vitin 1985 në Itali, më pas ky aktivitet masiv ka udhëtuar çdo vit në shtet të ndryshme.
Vrapimi në mal është një sport ndërkombëtar dhe pjesë e traditës atletike. Që prej viti 1985 në këtë kampionat janë përfshirë më shumë se 30 shtete. Edhe pse Shqipëri është një vënd malor, disiplina e vrapimit në mal sapo ka filluar të zhvillohet.
***********************************
Tiranë – Kryeministri Sali Berisha përshëndeti pasditën e djeshme çeljen e Kampionatit të 27-të Botëror të vrapimit në mal dhe përfaqësuesit e 35 vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
Në fjalën e tij, Berisha falenderoi organizatorët për përzgjedhjen e Tiranës dhe shndërimin e saj, në kryeqytetin botëror të vrapimit në mal.
“Kjo është një ngjarje e madh për sportin shqiptar, për turizmin malor shqiptar, për vendin dhe kombin, ndaj ju uroj mirëseardhjen tonë më të përzemërt”, u shpreh ai.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje se ky kampionat, zhvillohe në një vend, i cili, qëndron në krye të Europës për lartësinë e tij mesatare. “Shqipëria ka lartësinë mesatare më të madhe në këtë kontinet, ajo ka dyfishin e lartësisë mesatare të Evropës, është vendi më malor i saj”, theksoi Berisha ndërsa shtoi se “Shqipëria, në njësi sipërfaqeje ka malet më të shumta, të cilat në kreshtat, ujvarat, luginat dhe pyjet e tyre, fshehin bukuritë më mahnitëse të këtij kontinenti dhe pasuritë malore më të mëdha”.
Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij aktiviteti në Tiranë, Berisha shprehu besimin që “ky kampionat të frymëzojë të rinjtë shqiptarë, për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha dhe për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit, në interesin më të mirë të formimit të tyre fizik dhe psikologjik”.
Sipas tij, asgjë nuk është më frymëzuese dhe kalitëse se vrapi dhe ecja në mal.
“Çdo vit, numri i vizitorëve dhe turistëve që vijnë në malet tona po rritet dhe unë shpresoj sqë ky kampionat të shërbeje si një ftesë për turistët nga mbarë bota dhe nga vendet tuaja, për të ardhur dhe njohur këto male”, nënvizoi kryeministri Berisha.
Më pas, presidenti i Federatës Botëror të Vrapimit në mal, Bruno Gozzelino, i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha Medaljen e Arit si “Vrapuesi më i mirë”.