Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë e vlefshme për “EURO 2016”, ka zgjuar interesim të madh tek tifozët.
Sekretari i përgjithshëm në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, ka konfirmuar se sonte do të fillojë shitja e biletave online.
Ai ka thënë se numri i të interesuarve për blerjen e biletave ka qenë trefish më i lartë se sa kapaciteti i stadiumit.
“ Kërkesa ka pasur shumë, ndoshta nuk mund ta them numrin e saktë, por mbi 3-fishin e kapacitetit të stadiumit. Ky është një proces nën një monitorim shumë të rreptë. Shitja e biletave do të bëhet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me organe shumë të specializuara, kështu që mendoj se gjatë kësaj jave – ndoshta edhe nga sot që po flasim, – do të fillojë shitja e tyre online. Po sot do të fillojë edhe shitja e biletave për institucionet zyrtare e kështu me radhë. Hapi i parë do të jetë shitja e biletave online, që normalisht fillon sonte në drekë”, ka deklaruar Shulku për Top Channel.