Xhan Piero Gasperini ka vendosur më në fund të flasë për dështimin e tij te Inter, ku e larguan nga detyra pasi skuadra gjendej në zonën e ftohtë të klasifikimit. Ishte humbja 3-1 ndaj Novarës ajo që vendosi fatin e trajnerit, por ai rradhit një merkato të munguar dhe largimin e Eto’o.
Për “Gazzetta dello Sport” ai ka treguar se nuk ishte justifikim mbrojtja me tre lojtarë që kërkonte ai. “Isha i bindur se kisha në dispozicion lojtarë të fortë të cilët duhet të bëheshin një skuadër. Mendoja se një sistem i ri loje do t’i motivonte. Por te Interi mendojnë se kanë futbollistë të shkëlqyer vetëm nëse luajnë në mënyrën e zakonshme. Po atëherë përse më thirrën mua kur e dinin se si luaja unë? Është absurde pasi në fund i shkarkuan mbi mua dhe mënyrën time të lojës të gjitha problemet, edhe pse ishin ata që më kërkuan”.
Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Trabzonspor, ai u detyrua nga klubi të ndryshonte dhe të kthente organizatorin në sistemin e lojës. “Por lamë krejtësisht lojën në dorën e ekipit turk, nuk arrinim të mbështetnim repartin e avancuar. Ditën mbrapa ia thashë skuadrës: Kjo është hera fundit që luajmë kështu, më mirë shkoj e stërvit fëmijët”.
Nuk mund të mungonin komentet për merkaton e munguar të klubit dhe premtimet e papërmbushura. “Morati në fillim më shpjegoi se një yll duhej larguar për shkak të fair-play financiar, por ai nuk do të ishte Eto’o. Mua më mjaftonte të bliheshin Palacio, një mesfushor dhe një mbrojtës. Pastaj synoja të ringjallja Militon, një nga të paktët që në Itali mund të zhvendosin ekuilibrat. Me Eto’o-Milito-Palacio, isha gati të sfidoja gjithë botën”.
“Por klubi u mor me Sançez, Tevez e Laveci, persona që nuk mund të arriheshin. Iku edhe Eto’o, ndërsa mbërritën Forlan e Zarate, lojtarë të ndryshëm nga Palacio dhe që zinin hapësirat për Kutinjo dhe Kastanjos. Morati më tha se mund të rimerrnim Balotelin por përveç tij dhe meje nuk e donte askush tjetër, a thua se kjo nuk mjafton në një ekip futbolli”, ishte komenti i ashpër i Gasperinit. Ai ka pranuar se ka patur një marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë futbollistët, me përjashtim të njërit, të cilit nuk ka dashur t’i zbulojë emrin. (LajmeShqip.com)