Zenit Shën Petersburg ka marrë një fitore të rëndësishme 3-2 në përballjen e parë me Benfikën në 1/16 e Ligës së Kampioneve falë paraqitjes së shkëlqyer të mesfushorit Shirokov.
Rezultati ishte shumë i rëndësishëm edhe për faktin se rusëve u mungonte më shumë se gjysma e formacionit titullar për dëmtime, duke bërë që Spaleti të aktivizonte në portë Zhevnov dhe në mesfushë debutuesin Kanunikov.
Por është portieri rus që i jep një dorë miqve me një grushtim të gabuar në minutën 20-të, duke i dhënë mundësinë Maksi Pereiras të dërgojë topin në rrjetë. Megjithatë, baraspesha në rezultat vihet vetëm 7 minuta më vonë me Shirokov.
Pjesa e dytë është më e ethshme dhe skuadrat provojnë në të gjitha mënyrat për të gjetur rrugën e rrjetës, por goli tjetër i vendasve vjen vetëm nga një goditje me thembër të Semak në minutën e 71-të. Duket sikur Zenit ka në dorë frenat e lojës dhe po shkon drejt një fitoreje, por në minutë e 87-të, një tjetër gabim i portierit Zhevnov i jep mundësinë Benfikës të barazojë me anë të Kardozos.
Problemet e Spaletit zgjidhen nga Shirikov vetëm një minutë më pas, kur mesfushori përfiton nga përgjumja e mbrojtjes kundërshtare duke dërguar topin në rrjetë e duke siguruar fitoren 3-2, që gjithsesi lë gjithçka hapur për takimin e kthimit. (LajmeShqip.com)