Ish-kapiteni i Anglisë, Alan Shirer, mendon se kjo kombëtare nuk ka asnjë shans për të fituar Kupën e Botës 2014. Sipas tij, eliminimi në çerekfinale të Euro 2012 nuk e lejon të krijojë iluzione të tilla të kota.
“Nuk i vë asnjë faj trajnerit Hodgson”, tha Shirer për BBC Sport. “Por nuk jam dakord me idenë që Anglia mund të shkojë në shtëpi me kokën lart. Nuk na sjell asgjë të mirë të ulemi këmbëkryq dhe të themi se do të fitojmë Kupën e Botës pas dy vitesh. Realiteti flet krejtësisht ndryshe”.
Anglia fitoi grupin e saj dhe në disa ndeshje u vlerësua për paraqitjet, ndërsa trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, deklaroi se Anglia “do të zhvillohet nën drejtimin e Hodgson në vitet e ardhshme”. Por Shirer i sheh gjërat ndryshe dhe beson se duhet të ketë një ndryshim radikal në kulturën e futbollit në këtë vend, duke filluar nga trajnerët.
“Duhet t’i japim fund zakonit të shkuarjes drejt turneve me idenë që mund t’i fitojmë. Ky turne na e vërtetoi një gjë të tillë. Na duhet një ndryshim kulture dhe të jem i sinqertë, Federata Angleze aktualisht po mundohet ta bëjë këtë ndryshim”.
“Do të duhet kohë që këto sisteme të vihen në zbatim. Kampionati ynë është më i miri në botë për argëtim, por vetëm sepse është i mbushur me të huaj”, pranoi ish-sulmuesi i Anglisë. (LajmeShqip.com)
Grupi D
Francë-Angli 1-1
39’ Nasri / 30’ Leskot
Suedi-Angli 2-3
49’ Xhonson (ag.), 59’ Mellberg / 23’ Keroll, 64’ Uollkot, 78’ Uellbek
Angli-Ukrainë 1-0
48’ Runi
Çerekfinalet
Angli-Itali 0-0 (2-4 p.)