Jan Klas Huntelar është një fytyrë që nuk harrohet lehtë, edhe për faktin se shënon dhjetëra gola çdo sezon. Por duket se ai nuk është edhe aq popullor të skuadra e Shalkes, pasi ekipi i tij e ka harruar në stadium.
Ngjarja ka ndodhur në përfundim të ndeshjes Augsburg-Shalke, ku ai është braktisur në dhomat e zhveshjes së stadiumit, ndërsa skuadra largohej me autobus pa vënë re që në makinë mungonte sulmues i përfaqësueses së Holandës dhe golashënuesi kryesor i ekipit në këtë sezon.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, lojtari ka bërë autostop dhe është shoqëruar nga makina e policisë për të kapur sërish autobusin e skuadrës së tij.
Lajmi është mësuar pasi sulmuesi i Shalkes, para se të hipte në makinën e policisë, i ka kërkuar një prej reporterëve të “Bild” që t’i jepte numrin e menaxherit të ekipit, Horst Heldt, në mënyrë që të pyeste këtë të fundit se ku gjendej autobusi i skuadrës në ato momente. (LajmeShqip.com)