Lorik Cana, ka thënë se Adnan Januzaj e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket është ajo e Shqipërisë. Ndërkohë, kapiteni i Kombëtares mendon se çdo rezultat është i mundshëm në dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës
Prej ardhjes së Gianni de Biasit në krye të Kombëtares, shumë talent shqiptarë kanë veshur fanellën kuqezi. Por, trajneri italian ka shprehur dëshirën që në radhët e veta ta ketë edhe talentin e Manchester Unitedit, Adnaj Januzajn.
Sa i përket përfshirjes në ekipin kuqezi, Januzaj deri më tani ka heshtur, derisa ka refuzuar ta veshë fanellën e përfaqësueses së Belgjikës. Ndërkohë, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana ka thënë se Adnan Januzaj e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket është ajo e Shqipërisë.
“Më e rëndësishme është që ai i ka shanset të luajë me Shqipërinë, sepse nuk është aktivizuar në asnjë skuadër tjetër më parë. Duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion, pra të jetë gjithnjë në fokusin e Shqipërisë, por mbi të gjitha më e rëndësishme është që ai të ketë shëndet, të luajë rregullisht dhe të jetë i sigurt në të ardhmen e tij”, ka deklaruar Cana në një intervistë për “Top Channel” në emisionin “Procesi Sportiv”.
“Duhet të rritet gjithnjë e më shumë. Luan në një ndër klubet më të mëdha në botë, çka nuk e ka arritur asnjë shqiptar tjetër në këtë moshë. Kur të vijë koha të zgjedhë një përfaqësuese, ai e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket dhe që e mirëpret është ajo e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse vjen, do e presim ashtu siç kemi pritur edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj që kanë ardhur.”, ka theksuar mesfushori i Lazios.
Sa i përket dy ndeshjeve të radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës, Cana ka thënë se çdo rezultat është i mundshëm.
“Ne mund t’i mposhtim sllovenët, por mund edhe të na befasojnë. Tani jemi ne më të sigurt dhe më me besim në vetvete. Mendoj se me atë çka kemi dhënë, i kemi lënë më pak hapësirë fatit dhe jemi bazuar më shumë te cilësia e lojës tonë. Realisht cilësia e lojës sonë është rritur. Kemi treguar se luajmë mirë edhe jashtë fushës. Gjithsesi, duhet ta përgatisim mirë ndeshjen dhe të hyjmë me besim në fushë”, ka deklaruar Cana.
Ai ka thënë se ekipi kuqezi ka alternativa për ta zëvendësuar Mërgim Mavrajn,i cili shkaku i lëndimit do të mungoj në dy ndeshjet e radhës.
Ndërkohë, Cana ka mirëpritur transferimin e Etrit Berishës nga ekipi suedez Kalmar në Lazio.
“Edhe unë jam shumë i kënaqur, sepse e vlerësoj shumë si portier. Ai ka cilësi të mira dhe është një person fantastik”, ka përfunduar Cana, i cili ndihet në formë të mirë, pas një lëndimi që pati në gju.