Sfida mes San Antonio dhe LA Klipërs nuk ishte thjesht një ndeshje mes dy skuadrave që po ecin mirë në Konferencën e Perëndimit, por edhe për të dekretuar se kush prej tyre do të cilësohej si sfiduesi i Oklahoma në garën për vendin e parë në këtë Konferencë. Suksesi 103-100 i ka buzëqeshur në kohë shtesë San Antonio që ka zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme përballë “Bandës së ajrit”, duke çuar në 10 numrin e fitoreve radhazi. Ndërkohë, LA Klipërs duhet të fajësojnë veten pasi kishin mundësinë që ta mbyllnin ndeshjen që në kohën e rregullt, po Kris Pol bëri një gabim trashanik duke i pasuar topin Geri Nill, i cili shënoi trepikëshin e barazimit. San Antonio përforcon pozitat në vendin e dytë në Konferencë, ndërsa ndiqet pikërisht nga LA Klipërs që kanë humbur mundësinë për t’i marrë këtë pozicion.
Ndërkohë, Çikago ka bërë një tjetër hap të gabuar duke u mundur në mënyrë të pabesueshme në shtëpi përballë Nju Xhersi, një prej ekipeve më të dobëta të këtij sezoni në NBA që vinte nga 8 humbje radhazi. Mungesa e Derrik Rouz ka bërë më të thjeshtë punën e Deron Uilliams, i cili shënoi 29 pikë e 8 pasime, i ndihmuar nga Kris Hamfris me 24 pikë, 18 topa në tabelë e 5 pasime, për të nënshtruar Çikagon që e kishte të vështirë për të rivalizuar në këtë sfidë. Me këtë humbje, Çikago i ka lëshuar Majemit vendin e parë në Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Sa Antonio-LA Klipërs 103-100
Nju Xhersi-Çikago 97-85
Golden Steit-Memfis 103-104
Atlanta-Portland 77-97