Hamdi Salihi është një futbollist i DC Junajtid dhe që nga java e ardhshme do t’i bashkohet kësaj skuadre. Lajmi është bërë publik në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes nga vetë klubi amerikan si dhe nga Rapidi i Vjenës që kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes mes palëve.
“Jemi të lumtur që kemi gjetur marrëveshjen për të sjellë Hamdi Salihin në MLS dhe DC Junajtid”, ishin fjalët e menaxherit të klubit, Deiv Kasper. “Ai ka një prej mesatareve më të larta të shënimit dhe është i aftë të shënojë gola në çdo nivel në të cilin ka luajtur. Ne besojmë fuqimisht se ai do të bëhet një tjetër pjesë e rëndësishme për skuadrën dhe presim me padurim ta shohim atë në fushë gjatë muajit mars”.
Ashtu siç pritej, klubi ka bërë të ditur se sulmuesi shqiptar do të jetë një nga 3 lojtarët të cilët do të përfitojnë më shumë se tavani i rrogave të kampionatit pre 335 mijë dollarësh në sezon. Nuk është bërë e ditur se sa ka kushtuar transferimi i tij, por mendohet se për lojtarin janë paguar rreth 500 mijë dollarë të Rapid, me të cilin ai kishte një kontratë deri në fundin e sezonit.
Edhe klubi austriak i ka uruar suksese Salihit në eksperiencën e tij të re. “Ai ka arritur rezultate të mira për ne, ndonëse në sezonin e fundit nuk ka përjetuar një situatë të thjeshtë. I uroj atij personalisht dhe në emër të ekipit sa më shumë suksese”, ishin fjalët e trajnerit Shëtel.
Salihi pritet të udhëtojë në fillimin e javës së ardhshme drejt Uashington për të filluar eksperiencën e tij të re në kampionatin amerikan. Nuk dihet cili do të jetë impakti i këtij vendimi në karrierën me kombëtaren duke parë largësinë nga Evropa. (LajmeShqip.com)