Kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili duhet thënë se nuk shquhet për afrimitetin ndaj sportit të futbollit, ka vendosur që të japë një koment rreth fitores së shkëlqyer të kombëtares kuqezi në Olso.
Ai ka zgjedhur ta bëjë këtë nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke shkruar në adresën e tij zyrtare, ndonëse edhe në këtë rast, nuk ka ngurruar t’i japë nuanca politike kësaj ndeshje që në fakt nuk kishte asgjë politike në të.
“Të dashur miq! Në Oslo, lojë dhe fitore e merituar e dinjitoze e kombëtares sonë. Salihi shënoi golin e shkëlqyer të fitores së ekipit tonë dhe ogurin e fitores së 23 qershorit. Berisha tigër në portë, garantoi fitoren historike të ekipit tonë më 22 mars, ditën e bardhë të demokracisë. Urime Salihit, Berishës, të gjithë skuadrës, kapitenit, trajnerit të saj për këtë fitore dinjitoze dhe të merituar, që na bëri krenarë dhe zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë. Gëzuar!”, shkruhet në statusin e kryeministrit shqiptar.
Me një ndeshje të kombëtares që luhet ditën e martë në kryeqytet, vetëm pak metra larg banesës së tij, kryeministri shqiptar ka mundësinë të përshëndetë nga afër heronjtë e tij, gjë që nuk e ka bërë thuajse asnjëherë në vitet e fundit ku prania e tij në stadium është një “tabu” e mirëfilltë.
I vetmi rast kur kryeministri është parë në vitet e fundit në ambientet e një stadiumi në një aktivitet sportiv, ishte kur kombëtarja shqiptare luajti kundër Bosnje Hercegovinës dhe aty ishte i detyruar nga protokolli i shtetit, pasi takimin e ndiqte edhe homologu i tij i boshnjak, Mustafa Mujezinoviç. (LajmeShqip.com)