Armando Sadiku ka festuar më së miri grumbullimin në kombëtare, duke shënuar golin e barazimit 1-1 në minutën e 90-të për skuadrën e Lokarnos në sfidën me Kiason.
Sulmuesi është një nga risitë e listës së Xhani De Biazit për sfidën kundër Gjeorgjisë dhe ai ka treguar se është në formë mjaft të mirë duke gjetur rrugën e rrjetës për të 11-tën herë në këtë sezon në kategorinë e dytë zvicerane, ku vazhdon të jetë mes talenteve më të spikatur dhe ka rënë në sy të shumë klubeve të njohura.
Pavarësisht interesimit gjatë merkatos së janarit prej shumë ekipeve, Sadiku nuk ka lëvizur ende drejt një destinacioni më prestigjioz. Po grumbullimi i tij me kombëtaren do ta bëjë atë edhe më interesant në sytë e kërkuesve të talenteve ndaj në verë pritet të hapet një ankand i mirëfilltë për të siguruar shërbimet e tij. (LajmeShqip.com)