Sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, ka pranua se do të dëshironte të bëhej kapiteni i ardhshëm i Anglisë.
Megjithatë, ylli i ”djajve të kuq” ka sponsorizuar kapitenin e Liverpulit, Stiven Xherard për këtë post që ka mbetur bosh pas “çështjes Terri”.
“Për këdo që pyet, unë do të dëshiroja të bëhesha kapiteni i Anglisë. Por kjo është në dorën e trajnerit të ri për ta vendosur. Për mua, zgjedhja më perfekte mbetet Xherard”, ishte komenti i publikuar nga Runi në Twitter.
Sulmuesi 26 vjeçar ka mbajtur vetëm në një ndeshje shiritin e kapitenit të kombëtares, në miqësoren e nëntori të vitit 2009, kundër Brazilit, pasi në ekip mungonin shumë futbollistë titullarë për dëmtime.
Megjithatë, kërkesa e tij për të marrë shiritin është thuajse e pamundur të plotësohet, pasi sulmuesi është i pezulluar nga UEFA për dy ndeshjet e para të Euro 2012, ndaj një lojtar tjetër do të ketë nderin të jetë kapiteni i “tre luanëve”.
Kandidatët më të mundshëm për të drejtuar Anglinë në fushë janë Stiven Xherard, Skot Parker dhe Xho Hart. (LajmeShqip.com)