Karl Hainc Rumenige pret që ndeshja e kthimit e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynih dhe Real Madrid t’i ngjajë një udhëtimi në “ferr”. Bavarezët kanë një avantazh minimal falë fitores 2-1 në fushën e tyre me gola të Riberi dhe Gomez, ndërsa Ozil shënoi për madrilenët golin jashtë fushë që mund të rezultojë shumë i vlefshëm në sfida të tilla.
“Ne kemi respekt të jashtëzakonshëm për Real Madrid po nuk e kemi frikë, edhe pse presim një ferr të vërtetë në stadium”, tha Rumenige për “AFP”.
“Goli i minutës së fundit na ka dhënë ne një shans të vogël por do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të kualifikohemi në finale”.
“Ne duhet të jemi tërësisht të përqendruar dhe të japim një paraqitje të jashtëzakonshme ne mbrojtje”.
Por Rumenige është i mendimit që skuadra e tij nuk duhet të qëndrojë vetëm në mbrojtje kundër Realit, por të përpiqet që të shënojë sa më shpejt një gol.
“Ne duhet të mundohemi të vëmë në vështirësi mbrojtjen e tyre që të shënojmë një gol. Të kthehemi në mbrojtje dhe të mbrohemi nuk do të sjellë asgjë përballë një skuadre kaq të fortë sulmuese”.
Tifozët e Bajernit shpresojnë te një sukses për të zhvilluar më pas finalen e Ligës së Kampioneve në stadiumin e tyre, pasi “Allianz Arena” është caktuar si impianti pritës i ndeshjes së19 majit.
“Sigurisht që ëndrra jonë e madhe është të arrijmë finalen që luhet në shtëpinë tonë dhe do të bëjmë maksimumin për ta realizuar këtë ëndërr. Do të ishte diçka fantastike, askush nuk ka arritur të shkojë në finale në stadiumin e vet”, tha ai. (LajmeShqip.com)