Kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney, ka thënë se është i nderuar që është bërë golashënuesi më i mirë i kombëtares së tij.
Sulmuesi 29-vjeçar realizoi golin e tij të 50 në fitoren 2 me 0 të Anglisë ndaj Zvicrës për kualifikimet Euro 2016.
“Është ndjenjë e mirë”, ka thënë Rooney për BBC-në. “Kam qenë afër [rekordit] në ndeshjet e fundit dhe është një ëndërr e bërë realitet”.
“Është emocionuese, nder i madh dhe shumë krenar për këtë rekord. E dija se është moment i madh për mua. Të jem golashënuesi më i mirë para moshës 30 vjeçare është diçka që nuk e kam imagjinuar”.
Rooney golin e tij të parë me Anglinë e realizoi në vitin 2003 kur “Tre Luanët” u mposhtën nga Australia.