Kristiano Ronaldo ka insistuar se nuk është shumë i shqetësuar për të ardhmen e Zhoze Murinjos dhe se preferon të mendojë vetëm për të tijën dhe klubit të Real Madrid. Këtë mesazh ai e ka bërë të qartë pas ndeshjes së mbrëmshme, ku Real Madrid i dha lamtumirën Ligës së Kampioneve.
“Nuk dua të flas rreth të ardhmes së Murinjos. Unë jam vetëm i shqetësuar për skuadrën dhe veten, jo për spekulimet rreth trajnerit”, ishte deklarata e tij para gazetarëve pas përfundimit të ndeshjes. “Nuk jam i shqetësuar as për rinovimin tim. Kam edhe dy vite të mbetura në kontratë. Unë dua të fitoj kudo që të jem. Por e ndjej veten mirë këtu edhe me tifozët, gjithçka është në rregull”.
Lojtari ka pranuar se paraqitja e tij në këtë ndeshje nuk kishte qenë më e mira e mundshme, por ishte optimist sepse paraqitja e dhënë nga skuadra në fushën e lojës i krijonte bindjen se Reali do të luftonte në sezonin e ardhshëm përsëri për të fituar Ligën e Kampioneve.
“Unë u ndjeva mirë dhe nuk kisha probleme me dëmtimin. Mund të isha paraqitur edhe më mirë dhe të kisha shënuar një gol, por nuk ndodhi kështu, edhe pse unë mundohem të jap më të mirën në çdo takim. Ne mund të kishim shkuar në finale, ndaj jemi të trishtuar. Humbëm gjithçka në hapat e fundit, por duhet të përgëzojmë edhe Dortmundin, pasi shënuan më shumë se ne dhe prandaj janë ata që do të shkojnë në “Uembli””, deklaroi portugezi. (LajmeShqip.com)