Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Barcelona, ka dëshpëruar në ndeshjen e parë të Grupit E në Ligën e Kampionëve, duke nxjerrë vetëm barazim me Romën.
Ishte Barcelona e para që avancoi në këtë ndeshje përmes golit të Luis Suarez në minutën e 21-të.
Ndërkaq, goli i barazimit erdhi pas vetëm 10 minutash. Ishte Alessandro Florenzi i Romës që pa nga një distancë shumë e largët se kishte dalë nga porta portieri i Barcelonës, Andre ter Stegen, të cilin e mposhti nga një pozitë e pabesueshme.
Deri në fund të ndeshjes pati raste nga të dy skuadrat, mirëpo golin s’e gjetën asnjëra palë.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Bayer Leverkusen, ka mposhtur bindshëm kundërshtarët Bate Borisov të Bjellorusisë me rezultat prej 4 me 1.
Realizator i parë në këtë ndeshje ishte përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës, Admir Mehmedi, qysh në minutën e katërt për Leverkusenin.
Por, pas rreth 10 minutash, erdhi edhe goli i barazimit përmes Nemanja Milunović të BATE-s. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1 me 1.
Me të filluar pjesa e dytë, turku Hakan Calhanoglu kaloi Leverkusenin sërish në epërsi (47’). Pak më shumë se 10 minuta më pas, i transferuari nga Manchester United, Chicharito, realizoi golin e tretë për skuadrën e tij (59’).
Ndërkaq, golin e fundit për rezultatin 4 me 1 e shënoi sërish turku Calhanoglu.
Me këto rezultate, Bayer Leverkusen renditet në vendin e parë të Grupit E me 3 pikë, Roma në vendin e dytë me 1 pikë, aq sa ka edhe Barcelona në të tretin dhe BATE në të fundit me 0 pikë.