Roma-Barcelona do të jetë epiqëndra e ditës së dytë të Champions League që do të vijojë këtë të Mërkurë me 8 sfida të tjera shumë interesante të vlefshme për grupet, E, F, G, H. Do të nisë nga “Olimpico” i Romës mbrojtja e titullit për kampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Barcelonën e Luis Enriques.
Blaugranat vinë ndjeshëm të favorizuar në këtë përballje pasi po kalojnë një formë shumë të mirë në kampionat dhe kanë dukshëm një skuadër më të fortë dhe me më shumë eksperiencë në kompeticionet europiane se Roma.
Formacioni i Rudi Garcias përvec dyshes Neymar-Suarez duhet t’i frikësohet më tepër Lionel Messit, pasi argjentinasi në “Olimpico” do të zhvillojë sfidën e tij të 100-të me fanellën e Barcelonës në Champions League. Ndeshja tjetër e grupit E do të jetë ajo mes Bayer Leverkusenit dhe Bate Borisovit që do të zhvillohet në “BayArena”, me “Aspirinat” që pritet ta kenë thjeshtë një formalitet marrjen e tre pikëve.
Në Grupin F, Bayern Munich një nga skuadrat pretendente për suksesin final në këtë edicion të Championsit do të sfidojë në Athinë, Olympiacosin vendas me synimin për ta nisur me një fitore turneun. Të lehtë nuk pritet ta ketë as Arsenali përballë Dinamos së Zagrebit që ka në përbërje shumë talente.
Chelsea i Jose Mourinhos do të të kërkojë të hedhë pas krahëve dështimet e fundit në Premier League kur të presë në “Stamford Bridge” një skuadër modeste si Maccabi i Tel Avivit. Sfida më interesante e grupit G pritet të jetë ajo që do të zhvillohet në Ukrainë ku Dynamo e Kyevit do të presë Porton.
2 takimet e fundit të ditës së dytë të fazës së grupeve janë Valencia-Zenit i Shën Petersburgut dhe Gent-Lyon. Në Mestalla do të zbresin në fushë dy skuadrat favorite për të avancuar më tej në Grupin H, ndërkohë që Olympique Lyon nëse dëshiron të tentojë kualifikimin duhet të marrë patjetër një trepikësh përballë belgeve të Gent që në këtë sfidë do të bëjnë debutimin e tyre absolut në fazën e grupeve të Uefa Champions League.