Arjen Roben ka treguar se ka zgjedhur vetë të mos gjuajë 11-metërsh në fundin e ndeshjes mes Bajern Mynih dhe Real Madrid, për të evituar një tjetër përballje me Iker Kazijas. Lojtari shënoi nga pika e bardhë në minutën e 27-të e kohës së rregullt të takimit, por vendosi që të mos shfaqej të gjuajtjet përballë ish-shokut të skuadrës në fund të 120 minutave.
“Kazijas dhe unë e njohim njëri-tjetrin pasi kemi luajtur bashkë dy vite radhazi. Gjithmonë është më e vështirë të shënosh gjuajtjen e dytë. Kjo është arsyeja pse unë vendosa të mos gjuaja më penallti”, ka treguar Roben.
Holandezi ka shfrytëzua rastin për të thumbuar Franc Bekenbauer, i cili e kishte kritikuar pasi humbi 11-metërshin në sfidën e kampionatit me Borusia Dortmund.
“Do të dëshiroja të dëgjoja çfarë ka për të thënë z. Bekenbauer tani. A kam folur me të më përpara? Jo, dhe as që e ndjej të nevojshme aktualisht. Kjo nuk ishte hera e parë që gjendesha përballë Iker Kazijas, por gjuajtja ime ishte e saktë dhe e fortë aq sa duhej”, u shpreh ai.
Ndërkohë, mesfushori tjetër i Bajern, Bastian Shvajnshtajger, ka pranuar se kjo ka qenë një ndër ndeshjet më të lodhshme të karrierës së tij dhe se i gjithë ekipi nuk kishte më energji as të festonte.
“Jemi të gjithë të vdekur por të lumtur, nuk e di se ku i kemi gjetur energjitë për të vazhduar të vraponim. Penalltia ime? Erdhi një moment kur nuk kisha më forcë, por fatmirësisht arrita ta mbledh veten në kohën e duhur. Thjesht e ndjeja brenda vetes idenë që topi do të përfundonte në rrjetë”, tregoi futbollisti që gjuajti penalltinë e fundit për ekipin bavarez. (LajmeShqip.com)