Mediat gjermane kanë zbuluar se Ajren Roben dhe Frank Riberi janë zënë me njëri-tjetrin gjatë pushimit të ndeshjes së Bajern Mynih me Real Madrid në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Dy mesfushorët kanë filluar zënkën në fushë në minutën e fundit të pjesës së parë të takimit, ndërsa përballja ka vazhduar në dhomat e zhveshjes ku është dashur ndërhyrja e shokëve të skuadrës për t’i ndarë.
Në minutën e 45-të të sfidës, Roben i kërkon Riberi të mos gjuajë më goditjet e dënimit. “Lërë Tonin (Kros) ta gjuajë, në stërvitje i ka realizuar thuajse të gjitha”, janë fjalët e Roben ndaj francezit. Pasi Kros përplas topin në barrierë, Riberi fillon të thumbojë Roben dhe debati i fjalëve zhvendoset në dhomat e zhveshjeve.
Aty lojtarët janë kapur më njëri-tjetrin dhe mësohet se më keq e ka pësuar Roben, i cili edhe është mavijosur në fytyrë nga e majta e Riberi. Si “provë” për këtë ngjarje janë pamjet filmike të deklaratave për shtyp pas ndeshjes ku duket qartë një shenjë goditje në faqen e djathtë të futbollistit holandez.
Dy lojtarët janë takuar dje me drejtuesit e klubit, të cilët kanë kërkuar shpjegim për ngjarjen. Karl Hainc Rumenige dhe Uli Hënes, pasi kanë diskutuar me të dy lojtarët, kanë vendosur të gjobitin Riberi si dhe e kanë detyruar të pranojë fajin dhe të kërkojë falje para të gjithë skuadrës për gjestin dhe situatën e tensionuar që ka krijuar.
Zëdhënësi për shtyp i bavarezëve, Markus Horuik, vendosi të mos komentonte zyrtarisht rreth kësaj çështje që ka bërë mjaft bujë. “Çfarë ndodh në dhomat e zhveshjeve mbetet në dhomat e zhveshjeve. Nuk kemi asnjë koment rreth kësaj çështje”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)