Arjen Roben ka pranuar se Borusia Dortmund është thuajse kampione e Gjermanisë pasi ka 6 pikë avantazh ndaj Bajern Mynih kur kanë mbetur vetëm 4 javë deri në përfundimin e kampionatit. Lojtari humbi një penallti në minutat fundit ndaj “kanarinave” duke humbur njëkohësisht edhe mundësinë për të mbajtur skuadrën e tij në garë për titullin.
“Kjo është një humbje shumë zhgënjyese. Isha shumë i sigurt kur gjuajta penalltinë pasi në vitet e fundit kam gjuajtur 10 a 11 të tilla dhe nuk kam gabuar. Fatkeqësisht, këtë radhë gabova”.
“Dortmund ka bërë një hap gjigand para. Tani mund ta themi thuajse me siguri që Borusia Dortmund do të shpallet kampione e Gjermanisë. Por tani neve na duhet që të japim edhe më shumë në ndeshjet që kanë mbetur në vazhdim”, tha mesfushori holandez.
Edhe shefi i klubit bavarez, Karl-Hainc Rumenige, ishte i të njëjtit mendim me Roben. “Tani jam 99% i sigurt se Dortmundi do të shpallet kampione e Gjermanisë”, deklaroi ai pas ndeshjes.
Borusia Dortmund luan katër ndeshjet e fundit kundër Shalke, Mynshengladbah, Kaizerslautern dhe Fraiburg. Ndërsa Bajern Mynih përballet me Mainc, Verder Bremen, Shtutgart dhe Këln. (LajmeShqip.com)