Ylli i Bayern Munchen, FranckRibery akuzoi rezultatin e votimit për “Topin e Artë 2013” duke këmbëngulur se sulmuesi i Real Madrid, Cristiano Ronaldonuk meritonte ta fitonte çmimin, pasi portugezi nukngriti asnjë trofe vitin e kaluar. Fillimisht Ribery reagoi me qetësi pas ceremonisë së FIFA-s në Zyrih, ndërsa iu desh të pranonte vendin e tretë në votim pas Ronaldos dhe yllit të Barcelonës Lionel Messi, duke deklaruar se çmimi prestigjioz individual nuk ishte një ndër objektivat e tij.
Gjithsesi tani francezi ngre zërin për të shprehur gjithë pakënaqësinë e tij, ndërsa beson se ai duhet ta kishte fituar “Topin e Artë” pas sezonit së jashtëzakonshme me Bayern Munchen.
“Fitova gjithçka që ishte në lojë për t’u fituar me Bayernin dhe individualisht.Ronaldo në krahun tjetër nuk fitoi asnjë gjë. Nuk jam i dëshpëruar që nuk fitova, por kjo të lëndon disi. Unë meritoja të fitoja “Topin e Artë”. Ishte e qartë se Ronaldo do ta fitonte, afati përfundimtar i votimit u shty për dy javë. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. S’kishte të bënte me futbollin. Ishte një vendim politik”, ka thënë francezi.
Por kritikat e Ribery ndaj FIFA-s nuk mbarojnë këtu pasi ngriti gishtin e akuzës edhe për 11-shen më të mirë të vitit nga FifaPro World XI, ku bënë pjesë vetëm 3 futbollistë të Bajernit ndërsa 4 i përkisnin Barcelonës.
“Ka vetëm 3 futbollistë të Bayernit aty. Kjo është çmenduri. Thomas Muller meriton të jetë aty, dhe po ashtu edhe David Alaba, Bastian Schweinsteiger dhe Arjen Robben. Ne fituam 5 tituj dhe bëmë historinë. Pastaj aty ndihet edhe mungesa e futbollistëve të Borusias së Dortmundit, ku janë Mario Gotze dhe Robert Lewandowski. Kjo është vërtet e pamundur”, përfundoi Ribery, shkruan albeu.
Si rastësisht Gotze la “Signal Iduna Park” për të shkuar në “Allianz Arena” verën e kaluar, ndërsa Lewandowski do të bashkohet me skuadrën e Pep Guardiolës në fund të sezonit aktual.